Është ky fakti më dërrmues që ka kundër. Zhoze Murinjo mund të gjejë arsye dhe fajtorë sa të dojë për problemet e Mançester Junajtidit në Premier Ligë këtë sezon, por gjithsesi ka dy të vërteta. E para, që ai ka shpenzuar mbi 400 milionë paund stërlina për të forcuar skuadrën që kur erdhi në 2016, dhe e dyta, që Junajtid ka borderonë më të lartë të rrogave në Premier Ligë, dhe të tretën në botën e futbollit pas Barçës e Realit.
“Djajtë e kuq” shpenzojnë gati 330 milionë euro në sezon, duke lënë pas kampionët e Mançester Sitit, Liverpulin, Çelsin, Totenhemin dhe Arsenalin. Gjithsesi, në renditje, Mançester Junajtidi është në vendin e 7-të me 22 pikë, plot 16 pikë prapa Sitit të Guardiolës. Sa kohë mundet që drejtuesit e klubit ta tolerojnë një kontrast kaq të madh mes shpenzimeve dhe suksesit sportiv?!
Sfidanti.al