Pa Zidanin e pa Ronaldon, me Lopetegin të shkarkuar dhe Solarin pa përvojë, sërish Reali ka një shans këtë sezon të fitojë trofe, madje vetë titullin kampion. Fitorja 2-0 në “Bernabeu” ndaj Valencias bëri që madrilenët të ngjiten në 23 pikë në renditjene La Ligës, dy më pak se Barcelona, favoritja dhe kampionia në fuqi.
Nuk ishte fitore e madhe, arritur me një autogol Daniel Vasit në 8’, dhe me rrjetën e Lukas Vaskezit në 83’, por gjithsesi ishte pohimi se në një sezon aspak entuziazmues, sërish mund të arrihet shumë. Reali mund të jetë mundur 1-5 në “Kamp Nou” dhe 0-3 në fushën e Eibarit, ai po ndihmohet nga gabimet e vetë Barcelonës, të Seviljes apo të Atletikos së Madridit. Jemi vetëm në fillim të dhjetorit dhe Madridi i ka shanset nëse do të arrijë të marrë veten. Kupa e Botës për klubet mund të jetë “thikë me dy presa”, mund ta ndihmojë moralisht nëse fitohet, por mund ta trondisë nëse humbet, ndërsa lodhja fizike e udhëtimeve do të ndihet.
Sfidanti.al