Nuk po fusim në llogari shkatërrimin nga Bajerni në 2013 (0-4, 0-3), dhe as eliminimin nga Atletiko e Madridit në 2016, por vetëm atë që ka ndodhur që nga viti 2017, pra në 5 sezonet e fundit. Edhe pse ka pasur në radhët e veta lojtarin më të mirë të botës, Lionel Mesin, Barcelona ka shpërdoruar shumë raste dhe dalë nga dalë është larguar nga rreshti i skuadrave më të mëdha të Europës. Në 2017, fillimisht “blaugranët” përmbysën humbjen 0-4 me PSG-në për të fituar 6-1, por çerekfinalet sollën humbjen 0-3 dhe eliminimin ndaj Juventusit. Në 2018 ishte Roma që përmbysi humbjen 1-4 në “Kamp Nou” për të fituar 3-0 në “Olimpiko”. Në 2019, Liverpuli realizoi një arritje gjigande pas humbjes 0-3 në Katalonjë, dhe fitoi 4-0 duke mos pasur në ekip Salahun dhe Firminon. Shkatërrimi më i madh ndodhi në 2020 me Bajernin, një 2-8 në çerekfinale, në 2021 erdhi humbja 1-4 me Paris SG në “Kamp Nou”, ndërsa tani dy dështime, edhe në Champions, edhe në Ligën e Europës.
Sfidanti.al