Një derbi pa fund këtë sezon. Interi e Milani janë përfshirë në një luftë të ashpër në Serinë A, por edhe në Kupën e Italisë, ndërsa edicionit i vjen fundi. Dy skuadrat milaneze triumfuan në përballjet e radhës në kampionat, ndërsa takimin e kanë lënë të martën në Kupë. Zikaltërit ia dolën 3-1 në fushën e Specias, duke luajtur përpara rivalëve qytetës. Milani doli në fushë pak më vonë dhe kuqezinjtë treguan karakter këtë herë, duke arritur fitoren 2-0 në “San Siro” ndaj Xhenoas.
“Shihemi të martën, – titullin “La Gazeta delo Sport”, duke e pasur fjalën për gjysmëfinalen e Kupës mes Interit e Milanit, – dy ekipet fluturojnë për titullin!”
“Il Korriere delo Sport” shkruan se skuadrat milaneze fituan ndeshjet e para të javës në sprintin për titull, ndërsa pritet Napoli-Roma të hënën!
“Fitorja sot ishte jetike pas dy barazimeve që na zhgënjyen, – u shpreh trajneri i Milanit, Pioli, – situata në kampionat u ndërlikua, ndaj duhej fituar. Të gjitha ndeshjet deri në fund do të jenë të tilla, të vështira, me nerva. Patëm shumë shpenzim energjie. Duhet të shlodhemi sa më shumë për ndeshjen e rëndësishme të së martës ndaj Interit”.
Trajneri i Interit, Inzagi, vlerësoi pjekurinë e ekipit të tij. “Ishte fitorja e kthjelltësisë, – tha ai, – sepse ishim të qartë në lojën tonë ndaj një skuadre në formë të mirë dhe tifozëve kundër. Arritëm një fitore shumë të rëndësishme, ndërsa tani duhet të mendojmë për derbin ndaj Milanit në Kupë”. Të martën në “San Siro” luhet gjysmëfinalja e dytë e Kupës, Inter-Milan, me ndeshjen e parë që ka dalë 0-0. Milani kryeson Serinë A me 71 pikë, ndërsa Interi ka 69 me një ndeshje më pak.
Sfidanti.al