“Ringjallja” e Armando Sadikut, ish-heroi i kombëtares ka 6 gola në Ligën e dytë në Spanjë!

Kanë kaluar 6 vjet që nga momenti kulmor i karrierës së tij. Armando Sadiku ka hyrë në histori si futbollisti i vetëm që ka shënuar për Shqipërinë në finalet e një turneu të madh, kur e bëri në fitoren 1-0 në grup ndaj Rumanisë në Euro 2016. Sulmuesi i lindur në Cërrik nuk mund të thuhet se është sot në kulmet e karrierës, por megjithatë po tregon se nuk ka hequr dorë nga suksesi. Sadiku shënoi në barazimin 2-2 të Las Palmasit në fushën e Eibarit në La Ligën e dytë të Spanjës. Ky ishte goli i tij i gjashtë këtë sezon në futbollin iberik, nga të cilët 4 në kampionat dhe 2 në Kupën e Mbretit. Shqiptari 30-vjeçar është padyshim një nga më të mirët e Las Palmasit, që është në vendin e 7-të ndër 22 ekipe, me 54 pikë.

“Ne luajmë bashkë dhe e arrijmë suksesin bashkë, – thotë ai për televizionin e klubit, – synimi është që të ngjitemi sa më lart, dhe unë të shënoj sa më shumë gola”. Sadiku po i afrohet shifrës së 150 golave për ekipet e klubeve, duke pasur saktësisht 143 në 363 ndeshje. Duke përfshirë edhe paraqitjet me kombëtaren, ai ka 155 rrjeta në plot 401 ndeshje. Edhe pse në qershor mbush 31 vjeç, Sadiku nuk ka hequr dorë nga ëndrra për t’u rikthyer në kombëtare, ndonëse konkurrenca mbetet shumë e fortë me Brojën, Uzunin, Cikallëshin, Manajn apo Vrionin.

Sfidanti.al