Shqiptari i Kosovës me shqiponjën, kështu festohen golat e Rashicës

U largua nga kombëtarja e Shqipërisë menjëherë pasi u shpall lista e lojtarëve për Euro 2016-ën për të mos u kthyer më. Milot Rashica mori vendim për të veshur më tutje fanelën e Kosovës, por kjo nuk do të thotë se futbollisti i talentuar i krahut e ndjen veten ndryshe nga më parë. Në Holandë, kur ishte pjesë e Shqipërisë së De Biazit, i festonte golat duke bërë shenjën e shqiponjës me dy pëllëmbët, dhe të njëjtën gjë bëri edhe pasi shënoi gol ndaj Ajaksit në Amsterdam.

Skuadra e tij, Viteshe, arriti një sukses të madh 2-1 në stadiumin e famshëm “Johan Krujf” (ish-Amsterdam Arena) dhe Rashica shënoi golin e dytë në fund të pjesës së parë. Ky ishte një reagim pas elemimimit të hidhur dhe të papritur nga Kupa e Holandës. Suksesi bëri që Viteshe të ngjitej në vendin e tretë në kampionatin holandez, ndërsa Ajaksi është në krizë në vendin e 7-të. Trajneri Henk Frazer, pasi vlerësoi lart lojtarët e tij, kujtoi se “fitorja nuk bën të harrohet eleminimi në Kupë, ndërsa tani duhet ta kemi gjithë vëmendjen tek ndeshja e Ligës së Europës ndaj Nisës”.

Sfidanti.al