Montela si Iuliano i Partizanit: Shpenzuam 200 milionë, por duam kohë të fitojmë!

Është e vështirë për Vinçenco Montelën të përballojë barrën e rëndë që ka mbi supe. Milani i kinezëve u krijua me gati 200 milionë euro shpenzime, të bëra vetëm deri në mes të korrikut, por edhe pse jemi në fund të shtatorit, ende nuk po arrin “të fluturojë”. Trajneri kuqezi e ka të qartë sesa në rrezik është pozicioni i tij, sidomos tani pas humbjes së dytë në 6 javë të Serisë A, por përpiqet të fitojë kohë dhe t’i japë të drejtë vetes dhe lojtarëve të tij.

“Nuk luajtëm mirë ndaj Sampdorias, – pranoi ai, – na mungoi vendosmëria dhe talenti. Duket se disa lojtarë ishin të lodhur, të pamësuar me 3 ndeshje në 7 ditë. Gjithsesi, projekti ynë nuk është për t’u hedhur poshtë. Kemi shumë lojtarë të rinj e të talentuar, dhe do të na duhet kohë”. Këto fjalë të kujtojmë paksa italianin tjetër, Mark Iulianon e Partizanit, i cili kërkon më shumë kohë për të qenë në nivelin e Skënderbeut. Nuk dihet nëse Vinçenco dhe Marku do ta kenë kohën e kërkuar, dhe nuk dihet edhe nëse do t’ia dalin mbanë, nëse këtë kohë do t’ua japin.

Sfidanti.al