Shkëndija e Tetovës, shqiptarët e Zvicrës dhe Pero Pejiç!

Histori shqiptare në Maqedoni, histori shqiptare në Zvicër, dhe histori kroato-shqiptare në Kroaci. Shkëndija e Tetovës kryeson bindshëm kampionatin maqedonas edhe pas fitores 6-1 në fushën e ekipit tjetër shqiptar, Renovës së Xhepishtes. Dy gola nga Besart Ibraimi, dy nga Ferat Hasani, një nga Stenjo Zhunior dhe një tjetër nga Shefit Shefiti krijuan diferencën dhe Shkëndija ka 43 pikë pas 17 ndeshjeve, ndaj 29 të Vardarit të Shkupit, por që ka luajtur vetëm 14 takime. Gjithsesi, epërsia e tetovarëve është shumë e madhe në shënimin e golave, pasi kanë realizuar më shumë se dy ekipet që i ndjekin, së bashku. Shkëndija ka 52, ndërsa Vardari dhe Akademia Pandev bëjnë në total 49.

Në Zvicër, Bazeli fiton thellë 4-1 pas triumfit në Champions ndaj Mançester Junajtid, dhe në fushën e Lucernës shqiptarët lënë shenjë. Për Lucernën golin e vetëm, madje atë që e kaloi në epërsi, e shënoi një lojtar me origjinë shqiptare, Shkëlqim Demhasaj. Në minutën e 86-të, Hekuran Kryeziu e la Lucernën me 10 vetë pasi mori karton të kuq, ndërsa Taulant Xhaka për Bazelin u ndëshkua me të verdhë.

Së fundi, në Kroaci. Pero Pejiç, lojtari që më shumë pëlqehet dhe njihet në Shqipëri sesa në vendin e tij, shënoi gol për Sllaven Belupon. Fitorja ishte 2-0 në fushën e vet ndaj Istrës dhe Pejiç shënoi golin e parë. “Po luaj vazhdimisht dhe jam i kënaqur”, – shprehet ish-sulmuesi i Dinamos, Tiranës, Flamurtarit, Skënderbeut dhe Kukësit.

Sfidanti.al