Seferi ngjitet në vend të dytë në renditjen e Këpucës së Artë të kombëtares!

Është një nga më të mirët. Taulant Seferi vazhdon me golat në Premier Ligën e Ukrainës, ku shënoi edhe dy herë të tjera për Vorsklën e Poltavës. Vorskla triumfoi 3-2 ndaj Metalistit të Harkovit dhe shqiptari realizoi dy penallti, ndonëse humbi një tjetër. Sulmuesi 26-vjeçar është në formë të shkëlqyer dhe jo më kot është shënuesi më i mirë i ekipit të tij, dhe njëri nga më të mirët e kampionatit me 11 rrjeta në 21 ndeshje. Jo më kot vlera e kartonit të tij po i afrohet 1 milionë eurove, ndonëse ka luajtur më parë në Shqipëri me Tiranën dhe tani me Vorsklën në një ligë me probleme siç është ky i një vendi në luftë si Ukraina.

Gjithsesi, numri 1 i sulmuesve të kombëtares këtë sezon është Myrto Uzuni. Sulmuesi berates është i paprekshëm me Granadën në Spanjë. Uzuni ka arritur në kuotën e 21 golave në 32 ndeshje në Ligën e Dytë spanjolle, ku është kryesues i renditjes së Këpucës së Artë dhe ku synon që të thyejë rekordin historik të golave në një sezon, që është me 25.

Në vendin e tretë në renditjen e futbollistëve kuqezinj është Armando Sadiku, që gjithashtu luan në ligën e dytë spanjolle. Sulmuesi 31-vjeçar ka 8 rrjeta për Kartagjenën, ndonëse gjatë fazës së dytë ka luajtur shumë më pak për shkak të problemeve me trajnerin. Kjo besohet ka qenë arsyeja kryesore që Silvinjo nuk e ka ftuar në kombëtare, ndonëse thotë se e ka në planet e tij. Sokol Cikalleshi, ndërkaq, ka 7 gola në 22 ndeshje në Ligën Profesioniste të Arabisë Saudite. Sulmuesi kavajas, vazhdon ta ruajë formën në moshën 32-vjeçare dhe është në fushë thuajse në 100 për qind të kohës për ekipin e tij, Al Halixh.

Sfidanti.al