Disa skuadra të mëdha futbolli janë shuar tragjikisht si pasojë e aksidenteve ajrore. Pavarësisht zhvillimit të shkencës e të teknologjisë, ende transporti ajror nuk është plotësisht i sigurt, dhe bashkë me ekipe të tillë si Torino e Madhe në 1949 apo Mançester Junajtidi në 1958, mund të ishte bashkuar Anglia e vitit 2006. Kjo është ajo që thotë Rio Ferdinand, ish-qendërmbrojtësi i “luanëve” që rrëfen momentet e tmerrit ndërsa po ktheheshin nga Gjermania për në aeroportin “Hithrou” të Londrës, një distancë për hir të së vërtetës shumë e shkurtër. Ferdinand kujton se bagazhet po fluturonin në ajër e po përplaseshin në korridor e nëpër ulëse, se lojtarët dhe partneret e tyre po ulërinin dhe se madje edhe stjuardesat në aeroplan ishin shumë të shqetësuara. Nuk ishte ndonjë defekt teknik, por një turbulencë ajrore, që shkaktoi humbjen e lartësisë për dhjetëra metra dhe që vazhdoi paksa gjatë. Në raste të tilla, njeriu e kupton se varet nga fati, ose më mirë të themi nga “tekat” e natyrës” si dhe nga puna e njerëzve të tjerë, që me pakujdesi mund të shkaktojnë një defekt, apo një rrëzim të avionit për shkak të pilotimit jo të duhur.
Sfidanti.al