NBA, Leonard në versionin kampion mund Dallasin e Donçiçit, siguron finalen!

Nuk është gjithnjë i tillë, por mbetet i frikshëm. Kur Kauai Leonard arrin momentin e tij të frymëzimit janë shumë të paktë ata që mund ta ndalojnë, në mos askush. E tregoi në ndeshjen vendimtare në Dallas kur Klipersat ishin me shpatulla pas muri, në prag të eleminimit, por dha një paraqitje nga ato të vetat, duke mos lejuar tragjedinë. Me 45 pikë të shënuara në më pak se 42 minuta, plus 6 topa në tabela, 3 asistë e 2 vjedhje topi, udhëhoqi Klipersat në fitoren 104-97 duke barazuar 3-3 serinë e raundit të parë të plej ofit në NBA.

Siç është aksioma, lojtarët e mëdhenj e tregojnë veten në momentet-kyçe. Nëse do të kishte humbur, Leonard do të ishte kthyer në shtëpi bashkë me shokët, dhe Dallasi i Luka Donçiçit do të kishte qenë në raundin e dytë. Ndodhi ndryshe, dhe kalifornianët kanë tani një mundësi tjetër, finalen që do ta luajnë në Arenën e tyre, “Stejpëll Sentër”. Leonard mbetet ylli kryesor i ekipit nga Los Anxhelosi, dhe shpresat e tifozëve nuk janë pa bazë. Ai ka dalë dy herë kampion i basketbollit amerikan me San Antonion e Toronton, dhe dy herë lojtari më i mirë i finaleve, ndërsa shpreson ta bëjë përsëri.

Donçiç nga ana e tij luajti mirë, por siç ishte në sfidën e kaluar në “Stejpëll Sentër”. Ylli 22-vjeçar nga Sllovenia shënoi 29 pikë, kapi 8 topa në tabela, shërbeu 11 asistë dhe vodhi 4 topa, por nuk e arriti dot nivelin e rivalit. Për më tepër, nuk e pati ndihmën e zakonshme të Kristaps Porzingisit, ndërsa Leonardi kishte në krah Pol Xhorxhin e Rexhi Xheksonin. Ndeshja e 7-të vendimtare do të luhet duke u gdhirë 7 qershori sipas orës në Shqipëri, dhe Klipersat janë favoritë për kualifikimin.

Sfidanti.al