Gjatë gjithë jetës së tij ka luftuar për tituj. Zhoze Murinjo edhe sot e kësaj dite mbetet një trajner fitues, me 25 trofe në karrierë, veçse sukseset e ardhshme mund të arrijë me ndihmën e disa shqiptarëve. i emëruar pak javë më parë trajner i Romës, ai dëshiron të shtojë edhe dy lojtarë të tjerë shqiptarë, përveç atij që e ka në ekip. Milot Rashica e Granit Xhaka janë disa nga dëshirat e 58-vjeçarit, ndërsa te kryeqytetasit është që prej verës së kaluar Marash Kumbulla.
Nuk do të jetë e lehtë të merret Rashica, që shënoi dy gola në miqësoren e fituar 2-1 nga Kosova në fushën e Maltës. Sulmuesi kërkohet nga Frankfurti për një shifër prej 12 milionë eurosh, madje së fundmi është raportuar edhe interesimi i Bajernit. Rashica, 24-vjeçar, ka një klauzolë prej 15 milionë eurosh, që mund të ulet disi tani që Verderi ra në kategorinë e dytë.
Xhaka është dëshira e parë e shprehur nga Murinjo. Ish-kapiteni i Arsenalit ka një klauzolë sot prej 22 milionë eurosh, ndërsa ishte i rëndësishëm edhe sezonin e kaluar për londinezët, duke qenë titullar në shumicë e ndeshjeve në Premier Ligë dhe në Ligën e Europës. Në moshën 28-vjeçare, shqiptari i Zvicrës ka arritur pjekurinë e duhur, ndërsa dëshira e tij është pikërisht që të shkojë tek Roma e Murinjos, pas 5 sezonesh të kaluar në Angli.
Marash Kumbulla është shqiptari i sigurt për momentin për trajnerin portugez. Qendërmbrojtësi 21-vjeçar pati një sezon shumë të mirë me Romën, ndonëse u pengua shumë nga koronavirusi dhe nga dëmtimet. Murinjo synon të ndërtojë një skuadër të aftë për të luftuar për titullin kampion, siç bëri me Interin, ose të paktën të jetë në zonën Champions të Serisë A.
Sfidanti.al