Rubin Hebaj është Mbreti i golit në Uzbekistan!

Ishte një ndeshje tepër e vështirë, ndoshta më impenjativja e sezonit. Rubin Hebaj dhe skuadra e tij, Andizhan, luanin në fushën e kryesueses së kampionatit dhe gjithçka nisi keq kur vendasit kaluan në avantazh. Gjithsesi, sulmuesi shkodran u kthye më pas në një hero dhe ndihmoi shokët që të mos dilnin të humbur nga fusha e Pahtakorit. Duke luajtur për ekipin e njërit prej qyteteve më të vjetër të botës, Hebaj shënoi një gol të shkëlqyer për t’i dhënë barazimit Andizhanit në Superligën e Uzbekistanit. Ish-sulmuesi i Vllaznisë, Partizanit e Teutës, është njëri nga më të dalluarit në kampionat. Ai ka shënuar 9 gola në 7 ndeshjet e fundit, përfshi Superligën dhe Kupën. Po ashtu, ai është shënuesi më i mirë i Andizhanit, por edhe i kampionatit duke pasur 9 rrjeta deri tani, në kuotë të barabartë me sulmuesin serb Dragan Çeran. Andizhan është në vendin e 6-të me 19 pikë pas 13 ndeshjeve, jo larg vendit të katërt, ndërsa Hebaj shpreson të shënojë edhe shumë gola të tjerë.

Sfidanti.al