Nis sot Turi i Francës, legjenda e gjallë e çiklizmit!

Mjafton t’i thuash emrin dhe gjithçka është e qartë. Çdo sport ka kulmet e veta, si Kupa e Botës në futboll, NBA në basketboll apo Uimbëlldoni në tenis, ndërsa çiklizmi mburret me Turin e Francës. Gara më madhe dhe më e famshme e botës nis pikërisht sot, në një  kombinim mes rivalitetit mbi dy rrota dhe promovimit të natyrës e turizmit të vendit të shquar të Europës. Edicioni i 110-të i Turit e ka startin në Bilbao, në Vendet Baske të Spanjës, ndërsa përfundimi është parashikuar në 23 korrik në Bulevardin “Shamps Elize” të Parisit. Në 22 skuadrat pjesëmarrëse ka padyshim emra të rëndësishëm, por gjithsesi rivaliteti për Fanelën e Verdhë pritet të jetë mes dy gjigandëve. Këta janë kampioni në fuqi, danezi Vingegard, dhe slloveni Pogaçar. Ky i fundit e fitoi Turin dy herë radhazi, por vitin e kaluar u mund nga danezi. Me 3 400 kilometra gjatësi dhe me disa maja të vështira për t’u kaluar, ky edicion cilësohet si njëri nga më të vështirët në histori.

Sfidanti.al