Ende nuk ka nisur grumbullimi, por për të po flitet shumë. Këtë herë ishte vetë Armando Broja që nxiti tifozët dhe mediat që të komentonin për të ardhmen e tij, pas një mesazhi në rrjetet sociale. Sulmuesi i Çelsit dhe i kombëtares shqiptare botoi një postim në Tuiter, ku ngjyra blu ishte e shoqërua me dy pikëpyetje. Nënkuptimi besohet se ishte tepër i qartë, pra që e ardhmja e tij në skuadrën londineze është në dyshim. Mesazhi i Brojës erdhi pasi Çelsi njoftoi marrjen e sulmuesit Nikolas Xhekson nga Vijarreali.
Futbollisti i ardhur nga Spanja cilësohet si një nga blerjet më të rëndësishme të Bluve të Londrës, e me gjasë ai do të bëjë që Broja të ketë më pak hapësirë në skuadër. Tifozët ishin të ndarë në komentet e tyre, pasi kishte nga ata që pohonin se shqiptari dëshiron të largohet, por edhe të tjerë që deklaronin se Broja thjesht po shprehte shpresën që të mos kishte probleme me dëmtimet siç pati sezonin e kaluar. Për momentin, sulmuesi 21-vjeçar do të jetë pjesë e skuadrës së Çelsit gjatë fazës përgatitore, ndërsa trajneri Poçetino ka vendosur ta ndjekë nga afër e të punojë me të, për të vendosur përfundimisht nëse do ta mbajë në ekip apo jo.
Sfidanti.al