Në mendjen e tij thotë se do ta provojë deri në fund. Rej Manaj u bë i pari shqiptar që luan për ekipin e parë të Barcelonës, dhe padyshim i pari që shënon, ndërsa katalanasit mundën 4-0 Gimnastikun e Tarragonës në një miqësore. Sulmuesi i kombëtares kuqezi realizoi tri herë, ndërsa e shfrytëzoi deri në fund mundësinë që iu dha në mungesë të shumë titullarëve që janë me pushime.
“Mbreti Manaj” e cilëson faqja zyrtare e klubit, dhe thekson se është i pari shqiptar që luan për Barcelonën dhe i pari që shënon. Edhe e përditshmja “El Mundo Deportivo” e cilëson “Mbreti Manaj” në kopertinë, duke e pasur në foton e madhe, e duke theksuar se shënoi 3 gola. Gjithsesi, për momentin, Manaj është jashtë planeve të Barcelonës dhe kënaqësia më e madhe e klubit është që shqiptari vazhdon të jetë në formë shumë të mirë.
“Manaj është reklamuesi më i madh i vetvetes”, komenton “El Mundo Deportivo”, që thekson se 3 golat e shënuar nga sulmuesi shqiptar mund t’ia rrisin vlerën e kartonit, ndërsa për momentin e kërkojnë Famalikao në Portugali dhe Kadisi në Spanjë. E përditshmja “tjetër katalanase, Sport”, shkruan se “Manaj është në treg dhe është e sigurt që Barça mund të kërkojë më shumë për kartonin e tij. Shqiptari ishte një kërcënim i përhershëm për mbrojtjen rivale, me nuhatje “vrasësi”. Një lojtar, të cilit duhet t’i besohet më shumë”.
Trajneri Ronald Kuman u shpreh i lumtur për Manajn dhe për lojtarët e tjerë, ndërsa u intervisua pas ndeshjes. Vetë Manaj nuk flet si i larguar. “Unë mendoj vetëm që të punoj fort dhe të jam maksimumin tim për këtë skuadër, – tha ai, – nuk e di se çfarë mund të ndodhë. Ky top është një kujtim dhe do të marr firmat e të gjithë lojtarëve”. Sulmuesi 24-vjeçar i kombëtares shqiptare pati një sezon të shkëlqyer me Barcelonën B duke shënuar 12 gola në 25 ndeshje.
Sfidanti.al