Me Teutën duhet të merremi në një moment tjetër, por le të kënaqemi duke lavdëruar skuadrat e tjera të vendit tonë në Ligën e Konferencës. Laçi u tregua “konferencier” i vërtetë duke triumfuar 1-0 ndaj Universitateas së shquar të Krajovës, një ekipi me histori në kupat kontinentale, me gol të Dejan Zarubicës. Trajneri Shpëtim Duro e quajti sukses të jashtëzakonshëm, ndërsa shtoi se rumunët mbuluan shumë fort Mentor Mazrekajn. Kurbinasit kanë mundësi për kualifikimin nëse shtrëngojnë fort dhëmbët në ndeshjen e kthimit pas një javë. Krajova vlerësohet 7 herë më e shtrenjtë në tregun e futbollit sesa Laçi.
Shanse ka edhe Vllaznia që u mund 0-1 në fushën e AEL-it të Limasolit. Qipriotët vlerësoheshin nga “transfermarkti” 3 herë më të shtrenjtë si ekip sesa shkodranët, por nënkampionët e Shqipërisë u mundën vetëm nga një gol i shënuar nga Shçepoviç në minutën e parë shtesë të pjesës së parë. Natyrisht, Vllaznia pati edhe fat sepse portieri Zogoviç ishte më i miri në fushë duke bërë tri pritje, por trajneri Tomas Brdariç u shpreh i sigurt pas ndeshjes se “do ta përmbysim rezultatin në Shkodër”.
Partizani nuk pati fuqi të përballonte Bazelin e Zvicrës, një ekip që vlen 48 milionë euro, ndaj jo më shumë se 4-5 milionëve që vlerësohet ekipi shqiptar. Zviceranët triumfuan 3-0 me meritë, por edhe kryeqytetasit nuk mund të shahen shumë. Valentin Shtoker shënoi për 1-0 në 43’, dhe pas pushimit Artur në 52’ e sërish Shtoker në 80’. Partizani thuajse nuk ka shanse për kualifikim, por mjafton të luajë për të marrë rezultat në “Elbasan Arena”. Sa për Teutën, nuk ia vlen të flitet sepse nuk ka se çfarë të thuhet kur humbet 0-2 në shtëpi me Inter d’Eskaldesin e Andorrës.
Sfidanti.al