Intervista e parë e Brojës: Jam tifoz i Çelsit e dua të fitoj këtu!

Shansi po i jepet dhe ai po e shfrytëzon. Armando Broja i kujtoi menjëherë trajnerit të tij Tomas Tuhel sesa i rëndësishëm mund të jetë për Çelsin këtë sezon, duke arritur të shënojë në ndeshjen e parë miqësore të verës. Pas kësaj, faqja zyrtare e klubit londinez i mori një intervistë sulmuesit të kombëtares shqiptare, që ishte edhe biseda e parë pas rinovimit të kontratës. “Kam qenë tek Çelsi që kur isha fëmijë – thotë Broja, – ky është klubi i ëndrrave të mia, unë jam tifoz me Çelsin. Jam i lumtur që arrita të rinovoj kontratën dhe të bashkohem me ekipin, dhe që kjo ndodhi shpejt, ndaj tani mund të përqëndrohem tek futbolli”.

Broja shërbeu asist për shokun e skuadrës Zijeç, dhe më pas shënoi, në fitoren 6-1 ndaj Piterborout, duke theksuar se kjo ka shumë rëndësi për të. “Jam shumë i lumtur që shënova golin tim të parë në fazën përgatitore, – u shpreh shqiptari, – ishte një nisje e bukur për mua, pasi çdo sulmues i ri ka nevojë për besim, dhe kjo vjen duke shënuar gola. Isha me fat që pata 45 minuta për të luajtur, duke dhënë një asist e duke shënuar një gol”.

Broja rinovoi kontratën dhe u bashkua me Blutë e Londrës pas një viti të shkëlqyer në Holandë me Viteshen e Arnhemit, ku shënoi 10 gola e shërbeu 2 asistë, duke qenë më i miri në Europë për moshën nën 20 vjeç. Ai është ende 19-vjeçar dhe pritet të japë një kontribut të madh për Çelsin e trajnerit Tuhel, aq më tepër pas largimit të sulmuesit Olivie Zhiru, ndërsa pritet të ikë edhe Tami Abraham.

Sfidanti.al