Referendumi për pavarësi, ç’mendojnë klubet e futbollit në Katalonjë?!

E diela është ditë e madhe dhe e veçantë në Katalonjë, populli i krahinës autonome të Spanjës që e quan veten komb, do të votojë për pavarësi. Konflikti është i fuqishëm, edhe pse nuk kanë “kërcitur” armët, ndërsa interesant është të dihet si cili është mendimi i klubeve të ndryshëm sportivë katalanas, kryesisht të futbollit. Gazeta “Marka” bën një analizë mbi klubet që janë në ligat spanjolle të futbollit.

Barcelona është shprehur hapur “pro” referendumit, “pro lirisë së shprehjes dhe të drejtës për të vendosur, do të mbështesim vullnetin e shumicës së popullit të Katalonjës”. Edhe Girona, gjithashtu në Primera, është “pro”. “Girona dëshiron të jetë në krah të vullnetit të qytetarëve të këtij vendi”, shkruhej në komunikatën e saj. Në Segunda Divizion, është klubi Reus që nuk ka nxjerrë komunikatë zyrtare, por ka deklaruar se përkrah “ndjenjat e ligjshme katalanase”.

Në Segunda B, është klubi Olot. Presidenti Zhoan Agusti thotë: Jam plotësisht dhe historikisht në favor të së drejtës për të vendosur dhe në mbrojtje të demokracisë, do të jemi edhe më tej paqësisht në krah të shumicës së popullit të Katalonjës”. Edhe Lagostera, Sabadeli e Leida, si dhe klubet e tjerë në Segunda B, janë në favor të referendumit.

Ka edhe nga ata klube që kanë abstenuar. Espanjoli (La Liga), Nastik (Segunda), apo Kornelia e Badalonja në Segunda B, që nuk kanë marrë asnjë krah. Gjithsesi, asnjë klub nuk ka dalë kundër, ndërsa në favor janë emra të njohur si Zhoan Laporta, Pep Guardiola, Gerard Pike apo presidenti i tanishëm i Barcelonës, Zhozep Bartomeu.

Sfidanti.al