“Pogba, Ibrahimoviç dhe Roho janë lojtarë për të cilët nuk dua të flas, unë nuk mendoj aspak për ta”. Kjo ishte përgjigja e Zhoze Murinjos, kur u pyet për fatin e disa prej yjeve kryesorë të skuadrës që nuk kanë luajtur së fundmi. Ibra dihej prej kohësh, edhe Roho, por paqartësia më e madhe ka të bëjë me Pol Pogbanë, një blerje 100-milionëshe, që ka 4 ndeshje që nuk luan. Mediat britanike njoftojnë se mesfushori francez mund të mungojë edhe gati 2 muaj, pasi u dëmtua 2 javë më parë në përballjen e Championsit ndaj Bazelit.
“Mund të komentoj lojtarë si Valensia apo Xhons, pasi Pogba nuk mund të luajë, ndaj nuk e mbaj mendjen tek ai, – vazhdoi Zhozeja, – unë mendoj gjithnjë vetëm për lojtarët që kam të gatshëm dhe me të cilët duhet të fitoj ndeshjen e radhës”. Junajtid ende nuk ka vendosur nëse Pogba duhet të operohet apo jo, pra paqartësia është e madhe. Francezi, besohet se, nuk do të jetë gati për duelin e madh ndaj Çelsit në 5 nëntor, përpara ndërprerjes së radhës për shkak të ndeshjeve të kombëtareve. Kjo do të thotë se Pogba mund të kthehet në fushë vetëm në 18 nëntor, kur Njukasëlli do të vizitojë “Old Trafordin”, por mungesa mund të jetë edhe më e gjatë.
Sfidanti.al