Reali e di se titulli është afër kur arrin të fitosh në Bilbao!

Kur një skuadër arrin të fitojë në “San Mames” atëherë ajo është e denjë për titullin kampion. Reali i Madridit e bëri këtë dhe duket se pas shumë e shumë sezonesh, “merengesit” janë kthyer si në kohën e Migel Munjozit apo Fabio Kapelos. Me numër të barabartë ndeshjesh me Barcelonën kanë 5 pikë epërsi në krye të ligës spanjolle, edhe pse kanë shënuar më pak dhe kanë pësuar më shumë gola se katalanasit.

Anipse. Rëndësi ka fakti që skuadra e Zidanit gabon shumë pak, me vetëm 2 humbje në 27 ndeshje të një kampionati shumë të vështirë. Ronaldo me shokë e dhanë goditjen kur duhet, pikërisht pas humbjeve të hidhura në Valencia apo në Sevilje, si dhe pas eleminit në Kupën e Mbretit nga Selta e Vigos. Megjithë respektin për Championsin, synimi kryesor i sezonit mbetet kampionati, të cilin që nga viti 2008, Reali e ka fituar vetëm një herë.

Karim Benzema dhe Kasemiro shënuan në fushën e Atletikut të Bilbaos, me brazilianin që ktheu menjëherë në epërsi të bardhët, pasi Aduriz kishte barazuar rezultatin në 65’. Ronaldo sërish nuk shënoi dot, por ishte i rëndësishëm me asistin dhe me praninë e tij në fushë.

Me yje të tillë si Kejlor Navas, Ramos, Kasemiro, Varan (nuk luajti këtë herë), Marselo, Kros, Modriç, Bejl, Benzema e Ronaldo, Zidan natyrisht që e ka më të lehtë të shkojë drejt trofeve.

Sfidanti.al