Italia në versionin më të frikshëm ndaj Shqipërisë, nga Bufon te Beloti!

Ja pra kush do të jenë ata që do të kemi përballë. Kombëtarja shqiptare mori vesh futbollistët e katër herë kampiones së botës, Italisë, me të cilët do të ndeshet në Palermo. Trajneri i të kaltërve, Xhan Piero Ventura, shpalli listën me 22 emra që do të grumbullohen për sfidën e Botërorit në 24 mars. Ashtu siç pritej, Ventura thirri më të mirët, emra të denjë për të sfiduar Brazilin, Gjermaninë apo Francën.

Në portë të tillë si Bufon apo Donaruma. Në mbrojtje do të jetë treshja juventine, Bonuçi, Barxali e Rugani, por edhe talente si Romanjoli e De Shilio të Milanit si dhe D’Ambrozio i Interit. Mesfusha numëron futbollistë të klasit të lartë si De Rosi, Verrati, Kandreva, Bernardeski apo Insinje, ndërsa në sulm do të jetë i frikshmi Andrea Beloti. Futbollisti i Torinos synon Këpucën e Artë të Serisë A, ndërsa ka shënuar 3 gola në 5 ndeshje me kombëtaren, dhe do të jetë padyshim rreziku kryesor i Shqipërisë. Së bashku me të, në sulm, do të jetë edhe lojtari shumë në formë i Lacios, Çiro Imobile, por edhe Gabiadini që luan në Premier Ligën angleze me Sauthemptonin.

Italia synon të zerë vendin e parë në grup, ndërsa është në një duel të fortë me Spanjën, ndaj edhe pritet të luajë maksimalisht për të arritur fitoren. Të kaltrit janë favoritë absolutë, ndërsa me 10 pikë janë në krye së bashku me spanjollët. Shqipëria është në vendin e katërt me 6 pikë, por edhe me dy humbje radhazi, që të dyja në shtëpi ndaj Spanjës dhe Izraelit. Dy kombëtaret janë ndeshur në një miqësore në nëntorin e vitit 2014 në Gjenovë, dhe Italia arriti një fitore minimale 1-0. Ekipi përfaqësues i drejtuar nga De Biazi bëri paraqitje shumë të mirë atëherë, por tashmë gjithçka është ndryshe, pasi bëhet fjalë për ndeshje zyrtare në Botëror.

Sfidanti.al