Real-Barça, El Klasiko luhet sonte në “Bernabeu” për Kupën e Mbretit!

Forma është e madhe, ndonëse jo edhe aq në Spanjë. Reali, që cilësohet si “mbreti i Europës”, do të dalë sonte në fushë në El Klasikon e radhës ndaj Barcelonës, me entuziazmin e fitores së jashtëzakonshme në Champions ndaj Liverpulit. Shifrat 5-2 në “Anfild” ishin të tilla që shkaktuan bujë të madhe, ndonëse asgjë nuk llogaritet kur madrilenët ndodhen përballë rivalëve të tyre të përjetshëm. Trajneri Karlo Ançeloti e ka pasur të qartë këtë ndërsa ka udhëhequr ekipin në stërvitje në prag të derbit që do të jetë gjysmëfinalja e parë e Kupës së Mbretit, sonte në orën 21:00 në “Bernabeu”. Kampionët e Spanjës pritet të kenë mungesa, ndonëse jo edhe aq të shumta. Mendi është i dëmtuar, ashtu si edhe Alaba, ndërsa Rodrigo pritet të jetë gati. Çuameni gjithashtu mund të cilësohet i shëruar nga gripi, për të luajtur bashkë me Modriçin në mesfushë, dhe sulmi do të ketë dyshen Benzema-Vinisius.

Barcelona ka udhëtuar drejt Madridit e ndërgjegjshme për momentin e saj negativ. Katalanasit kanë edhe mjaft mungesa përveç rezultateve aspak të mira këto kohë. Trajneri Ksavi Hernandez, që e ka cilësuar Realin favorit për gjysmëfinalen, nuk mund të llogarisë sulmuesit Levandovski e Dembele, si dhe organizatorin Pedri. Të tre këta së bashku kanë shënuar 40 gola këtë sezon. Për më tepër, eliminimi nga Liga e Europës prej Mançester Junajtidit djeg mjaft, ashtu si edhe humbja në La Ligë në fushën e Almeries. Gjigandët e Spanjës janë ndeshur dy herë në El Klasiko këtë sezon. Në kampionat, Reali fitoi në “Bernabeu” në fazën e parë 3-1, ndërsa në janar ishte radha e Barçës për të triumfuar me të njëjtin rezultat në finalen e Superkupës së Spanjës.

Sfidanti.al