Nuk vjen në momentin e duhur për të zotët e shtëpisë. Gjithsesi, derbi duhet të luhet dhe Partizani vendosi që kjo të ndodhë në “Arenën Air Albania”. Të kuqtë, që kanë preferuar stadiumin e tyre të ri në kompleksin e klubit, këtë herë kanë ndryshuar qendrim, duke dhënë edhe sqarimin se përse ndodh kështu. Drejtuesit partizanas informojnë se kjo ndodh për shkak të interesimit shumë të madh të tifozëve për sfidën ndaj Tiranës, dhe kjo nuk mund t’i përballohet nga kapaciteti i stadiumit të Partizanit me rreth 4 000 vende. Padyshim, klubi i presidentit Demi do të ketë përfitime financiare nga shitja e biletave, duke qenë pritës në derbi.
Përtej përfitimeve dhe spektaklit në tribuna, të kuqtë nuk po kalojnë aspak një moment të mirë, përkundrazi. Partizani vjen në përballjen me Tiranën pas dy humbjeve radhazi, një në kampionat dhe të fundit në mesjavë në Shkodër për Kupën e Shqipërisë. Shifrat 1-3 ia pakësojnë jo pak mundësinë për t’u kualifikuar në gjysmëfinale, ndërsa kryeqytetasit për pak humbën trajnerin e tyre, Xhovani Kolela. Mësohet se italiani u deklaroi drejtuesve se ishte gati të largohej, por u ndalua prej tyre. Me gjasë, derbi ndaj Tiranës do të jetë prova e tij e fundit dhe në rast të një rezultati negativ Kolela pritet të largohet.
Sfidanti.al