U përcaktuan 7 skuadra të kualifikuara dhe dy çifte të turit të ardhshëm. Pas Francës, Brazilit dhe Portugalisë, edhe Holanda me Senegalin si dhe Anglia me SHBA-në “prenë biletën” për të kaluar fazën e grupeve. Holanda mundi 2-0 Katarin vendas që e mbylli turneun pa asnjë pikë, ndërsa Senegali nuk e pati të lehtë të mposhtte Ekuadorin 2-1. Gakpo e De Jong shënuan për “tulipanët”, dhe Sarr (penallti) e Kulibali për afrikanët.
Në grupin B, Anglia e pati të vështirë derisa shënoi golin e parë ndaj Uellsit, por pastaj “marshoi”. Markus Rashford, tepër i kritikuar këtë vit tek Mançester Junajtidi, realizoi dy herë, të parin me goditje dënimi, ndërsa Fil Foden e festoi futjen në formacionin bazë me një rrjetë. Anglezët dominuan plotësisht me lojë dhe me raste, si edhe me gola (7-1 gjuajtjet në kuadrat, 6-1 kornet). SHBA fitoi me meritë ndaj Iranit, edhe pse vuajti pas pushimit duke marrë revanshin për humbjen 1-2 të pësuar në Botërorin francez në 1998. Kristian Pulishiç i Çelsit shënoi golin e vetëm.
Grupi A: Holandë-Katar 2-0, Ekuador-Senegal 1-2
Renditja: Holanda 7, Senegali 6, Ekuadori 4, Katari 0.
Grupi B: Uells-Angli 0-3, Iran-SHBA 0-1
Anglia 7, SHBA 5, Irani 3, Uellsi 1.
Raundi i dytë: Angli-Senegal, Holandë-SHBA.
Sfidanti.al