Do të luftohet për këtë trofe. Kupa e FIFA-s u vendos dje në Festivalin e tifozëve në Doha, ku u ndodhën 1.8 milionë njerëz, ndërsa sot për të do të luftojnë dy ekipet më të mira të Botërorit. Finalja e madhe është Argjentinë-Francë, që do të thotë edhe Mesi-Mbape. Për magjistarin 35-vjeçar ky është shansi i fundit për të fituar Kupën e Botës. Po ashtu, është mundësia e fundit për t’i ngjarë Diego Armando Maradonës që udhëhoqi ekipin drejt titullit në 1986. Mbape e ka fituar një titull edhe pse është 23 vjeç dhe synon t’i afrohet rekordeve të Pelesë.
Franca ndërkaq dëshiron të mbrojë trofeun e fituar në 2018, ndërsa vetëm dy ekipe në histori ia kanë dalë ta fitojnë titullin dy herë, Italia në 1938 dhe Brazili në 1962, pra 60 vjet më parë. E përditshmja e shquar franceze, “L’Ekip” titullon thjesht “Për përjetësinë” me foton e Mesit e Mbapesë dhe 3 yjet e titujve. “Ole” nga Argjentina ka në kopertinë mijërat e tifozëve që luten: Dua të fitoj titullin e tretë! Dua që të jem kampion i botës! Argjentinës i kthehen të pezulluarit Akunja dhe Montiel, ndërsa trajneri Skaloni bën këtë koment.
“Natyrisht, ne kemi nevojë për një përpjekje kolektive për të ndaluar Mbapenë, – tha ai, – Kuptohet që Franca është më shumë sesa vetëm Mbapeja. Ne duhet të luajmë mirë si skuadër. Finalja është Argjentina kundër Francës nuk është thjesht Mbapeja kundër Mesit. Le të shpresojmë që fati të jetë me ne”.
Po Franca? “Gjelat” janë shëruar nga gripi dhe ekipi ishte i gjithi në stërvitje. Trajneri Deshamp nuk pritet ta ndryshojë formacionin që ka fituar deri tani. “Unë e di se argjentinasit, se pjesa më e madhe e tifozëve të tjerë në botë shpresojnë që Mesi ta fitojë Kupën e Botës, – tha ai, – Madje, e di edhe se disa francezë janë me Mesin, por ne do të bëjmë gjithçka që arrijmë objektivin tonë. Objektivi ynë është titulli”.
Ka një lloj ngjashmërie të kësaj prag finaleje me atë të 1998-ës kur Brazili u godit nga një epidemi gripi dhe humbi. Franca atëherë fitoi, por mos vallë sot rrezikon të humbasë?
Formacionet e mundshme
Argjentina (4-4-2): Martinez Montiel Romero Otamendi Akunja De Paul Paredes Fernandez Mekallister Mesi Alvarez
Franca (4-2-3-1) Joris Kunde Upamekano Varan Hernandez Çuameni Rabio Dembele Grizman Mbape Zhiru
Sfidanti.al