Prag, Atletiko-Barcelona: Një Mesi i acaruar dhe një Grizman i sulmuar nga tifozët!

Sytë e të gjithëve do të jenë tek ai. Lionel Mesi mbetet epiqendra e Barcelonës, e do të jetë i tillë edhe në sfidën tepër të vështirë në fushën e Atletikos në La Liga, ndërsa problemet rreth tij e klubit duket se nuk kanë të përfunduar. Edhe pse shkëlqeu në ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Betisit në “Kamp Nou”, sërish atmosfera e krijuar përqark kapitenit nuk është aspak e mirë. Me t’u kthyer nga ndeshjet e Argjentinës në Amerikën e Jugut, ai u pyet nga gazetarët nëse kishte rol në formën e dobët të Antuan Grizmanit, dhe Mesi shpërtheu.

“U lodha duke më quajtur gjithnjë si problem tek Barcelona”, – ishin fjalët e tij që krijuan një shurmë të madhe mediatike. Pasojë e kësaj u duk se ishte edhe përballja e disa tifozëve me Grizmanin, duke e ndaluar sulmuesin francez ndërsa ishte në makinë, e duke i kërkuar që të respektojë Mesin. Trajneri Ronald Kuman, që u ngacmua për këtë temë, u përpoq të qetësonte situatën.

“Mendoj se reagimi i Mesit ishte normal, – tha holandezi, – sapo ishte kthyer i lodhur nga një udhëtim i gjatë dhe pyetja ishte provokuese, pa respekt, ndoshta një përpjekje për të krijuar probleme. Sa për raportin e Mesit me Grizmanin, për këtë ka folur një ish-agjent i Grizmanit që ka vite që nuk punon me lojtarin, pra janë budallallëqe. Përsa i përket rinovimit të Mesit, mendoj se ai do të vazhdojë këtu, s’ka përse të dyshojmë për këtë”.

Gjithsesi, vëmendja duhet të jetë tek ndeshja në Madrid ndaj Atletikos. Kuman nuk do të ketë mesfushorin Buskets, ndërsa pritet të luajë me skemën e Championsit ndaj Juventusit. Mesi do të jetë pjesë e një katërsheje sulmuese bashkë me Grizmanin, Dembelenë dhe Pedrin. Katalanasit udhëtuan drejt kryeqytetit spanjoll të ndërgjegjshëm se u duhet fitorja, për të mos mbetur prapa rivalëve në luftën për titull, ndërsa pritja e publikut madrilen ishte shumë e mirë sidomos për Mesin dhe Zhordi Albën.

“Do të jetë një ndeshje shumë e vështirë, – pohon trajneri i Atletikos, Simeone, – Barcelona është gjithnjë një skuadër e madhe, por ne kërkojmë fitoren dhe do të luajmë në sulm. Mungesa e Luis Suarezit ndikon, por besojmë se i kemi lojtarët e duhur për t’ia dalë”.

Suarez nuk do të ketë mundësi të përballet me ish-ekipin nga i cili u largua me polemika, por Atletiko ka yje të tjerë. Mbi të gjithë Zhoao Feliks që është në formë të madhe. Atletiko është e treta në rendijen e La Ligës me 17 pikë, tri më pak se Sociedadi, ndërsa Barcelona është e 9-ta me vetëm 11 pikë.

Sfidanti.al