Prag Angli-Francë, kush do ta fitojë klasiken e madhe të Europës?!

Ishte vërtet diçka ndryshe. Franca e priti duelin masiv ndaj Anglisë në Botëror, jo thjesht duke u stërvitur, pushuar apo analizuar, por me një ditëlindje. Kampionët e rruzullit i uruan 57-vjetorin videoanalistit Erik Dybraj. Natyrisht, kjo ishte thjesht si një antipastë, sepse Mbape me shokë e dinë se për çfarë janë në Katar. Detyrë është mbrojtja e titullit të fituar 4 vjet më parë në Rusi, që fillon me testin e sotëm anglez në orën 20:00. “Gjelat” cilësohen favoritë për faktin se janë kampionë, apo se kanë Mbapenë dhe shumë yje të tjerë. Trajneri Deshamp është i lehtësuar që Mbape nuk ka dëmtim, dhe se ekipi i tij nuk ka mungesa.

“Anglia nuk ka pika të dobëta, – thotë ai, – Mund të ketë disa pika më të forta dhe disa më pak të forta, por nuk ka dobësi. Të dyja skuadrat e njohin njëra-tjetrën, kemi luajtur 4 ndeshje në këtë Botëror. Anglia është e rrufeshme në kundërsulm, ka aftësi të shënojë shumë gola, ka nivel të lartë teknik dhe është e rrezikshme në goditjet standarde. Jo rastësisht Anglia është përballë nesh në çerekfinale”.

Anglia është gjithashtu shumë e fortë dhe në këtë Botëror ka rezultatet më të mira. Tri fitore e një barazim dhe 12 gola të shënuar, pra askush si “shpikësit” e futbollit”. Për fat të keq, trajneri Sauthgejt ka probleme me katër futbollistë. Cila është cilësia kryesore që i duhet Anglisë në këtë sfidë? “Besimi! Kjo është gjëja kryesore, – theksoi tekniku, – Katër vjet më parë ne kishim një ekip shumë të mirë, por ndoshta nuk kishim përvojën e duhur në nivele të larta. Kjo ndikonte tek besimi. Sot mendoj se është ndryshe! Kemi pasur shumë mbrëmje të mëdha dhe e dimë se çfarë duhet për të fituar. Ne do të kemi plan për të ndaluar Mbapenë, por edhe Zhirunë apo Grizmanin”.

Anglia dhe Franca kanë histori të gjatë përballjesh, me ishullorët që kanë bilanc më të mirë, por me kampionët e botës që kanë fituar 5 nga 7 sfidat e fundit, përfshi edhe një në Europian. Duel në botëror nuk kanë që nga viti 1982 në Spanjë ku anglezët triumfuan 3-1.

Sfidanti.al