Pol Skoulls, mendohu mirë para se të bëhesh trajner i Oldhamit!

Pol Skoulls ende njihet nga të gjithë si një nga legjendat e Mançester Junajtid të Sër Aleks Fergusonit. Ish-mesfushori organizator anglez është në prag të një emërimi si trajner, ndonëse nga të gjitha anët i vijnë ftesa që të jetë i kujdesshëm. Përse? Skoulls mund të bëhet trajner i Oldham Atletikut, një klubi të kategorisë së tretë, dhe që ndodhet në vendet e fundit të renditjes, por nuk është ky shkaku kryesor që Poli duhet të ketë kujdes.

Edhe pse është tifoz me Oldhamin, Skoulls duhet të ketë parasysh se klubi ka një “huq” tmerrësisht të keq me trajnerët, duke i shkarkuar radhazi. Nga 1994 deri më sot, në 23 vjet, Oldhami ka shkarkuar 25 trajnerë, diçka jo vetëm e jashtëzakonshme në krahasim me klubet e tjerë, por sidomos e jashtëzakonshme për historinë e tij. Në 24 vitet e mëparshëm, nga 1970 deri në 1994, Oldham pati vetëm DY trajnerë, skocezin Xhimi Frizell (1970-1982) dhe Xho Rojlin (1982-1994). Ishin pikërisht vitet më të mirë të skuadrës që arriti në 1990 finalen e Kupës së Ligës, në 1991 u ngjit në elitë pas 68 vitesh dhe në 1992 ishte një nga anëtarët themelues të Premier Ligës. Në 1994 ra nga kategoria për të mos u ngritur më.

Sfidanti.al