Nuk do të jetë e lehtë për Realin të marrë lojtarët që dëshiron, dhe jo vetëm Kilian Mbapenë, por edhe ata që luajnë në Angli. Mediat spanjolle shkruajnë se Pol Pogba dhe Sadio Mane janë dy objektiva të Zinedin Zidanit, por përgjigja nga Mançester Junajtidi dhe Liverpuli është identike: Secili prej yjeve kushton nga 130 milionë paund stërlina, që do të thotë gati 150 milionë euro.
Analiza e klubit madrilen është bërë menjëherë dhe duket se sulmuesi i Liverpulit cilësohet si tepër i shtrenjë, edhe pse Zidan e vlerëson shumë. Për Pogbanë, presidenti Perez mund të bënte një sakrificë me më shumë gatishmëri, sepse kampioni i botës ka potencial të madh edhe në marketing, dhe jo vetëm në fushën e lojës. Gjithsesi, Ed Uduordi, shefi ekzekutiv në “Old Traford”, ia ka prerë shkurt agjentit të francezit, Mimo Raiola: “Jo vetëm që do të duhen të paktën 150 milionë euro, por edhe me shumë gjasë ne nuk do ta lëshojmë Polin këtë verë”.
Sfidanti.al