Ish-trajneri i Kombëtares, Astrit Hafizi, thotë se me ardhjen e presidentit Duka, fjala trajner vendas nuk ekziston më. Kjo është një e vërtetë që nuk diskutohet, por ka edhe një të vërtetë më të madhe, gati e ngirë prej vitesh, sepse trajnerët në kohën e Dukës kanë qënë më shumë gurë shahu, sesa zotër të pavarur në profesionin e tyre. Të gjithë e dimë se cili është zoti i vërtetë i Kombëtares, padroni të cilit futbollistët kuqezi i binden verbërisht, sikur ta kishin trajnerin e jetës, pa të cilin nuk do të kishte as përfaqësuese! Ai është mjeshtri i madh i lodrës , që luan me zotësi me nervat e një publiku të lodhur, madje mund të jetë gati të na e thotë “gralin kuqezi” se Kombëtarja është më e fortë kur nuk ka trajner, sespe..nuk tradhetohemi nga stoli . Ndaj, sa herë që Kombëtarja mbetet pa trajner, ose sa herë që presidenti ynë zhytet me kokë në lojën e preferuar të “orgazmës së stolit”, askush nuk numëron më ditët “e vdekura” , ngaqë më e bukur është gara tingëlluese e emrave: Donadoni, Zakeroni, sikur të ishte në listë edhe Trapatoni, sepse ky Edi Reja na prish rimën italiane.
Sido që ta ketë emrin trajneri i Kombëtares, qoftë Italian apo shqiptar i minutës së fundit, një fakt shpon më shumë se të tjerët : përse futbollistët e Kombëtares kanë heshtur të gjithë dhe numërojnë ditët pa trajner, si ushtarët që shpojnë rripin në ushtri, duke pritur ditën e lirimit! Si nuk doli një “kurajoz ” që të thotë me zë të lartë: a është gjallë ekipi Kombëtar kur trajneri ka “vdekur” me kohë? Nuk gjen budalla të tillë në trevën tonë, madje mund të thuhet se ata që quhen në letër “shqiponja” , kur flitet për treguar të vërtetat e fushës, apo qoftë larg për manovrat e presidentit të tyre despotik, nuk janë më shqiponja, por ngjasojnë më shumë me “lepujt kuqezi”.
Gezim Sinemati
Botuar ne Panorama Sport