Ofendoi Arsenalin, por mori të kuq në humbjen ndaj “topçinjve”

Deklarata e tij vitin e kaluar ishte e rëndë, duke theksuar se “Arsenali nuk ka k…, për të luftuar për gjëra të mëdha”. Kapiteni i Uatfordit, Troi Dini (Deeney) e pagoi shtrenjtë këtë në ndeshjen e mbrëmshme pikërisht ndaj Arsenalit, duke marrë karton të kuq për një veprim të rrezikshëm dhe të pakujdesshëm. Ai goditi me bërryl mesfushorin Lukas Torreira, ndërsa nuk kishin kaluar as 11 minuta lojë në stadiumin e Uatfordit.

Geri Nevil, ish-kampioni i Junajtidit sot analist televiziv, theksoi se gjyqtarët i mbajnë mend deklaratat e kaluara dhe kjo ndikon në vendimet e tyre. Një vendim që i kushtoi shumë Uatfordit, pasi Arsenali kishte shënuar 1 minutë përpara përjashtimit të Dinit, dhe arriti ta mbante fitoren deri në fund, duke qenë edhe në epërsi numerike. Pjer-Emerik Obamejang ishte autori i golit, me “topçinjtë” që duket se i kanë gjetur k…, të paktën për kualifikimin në Champions. Fitorja i ngjit në vendin e katërt në Premier Ligë, brenda zonës së Ligës së Kampionëve, duke pasur 66 pikë në 33 ndeshje. Totenhemi ka 67 pikë në po 33 ndeshje, Çelsi 66 por në 34 takime, ndërsa Junajtidi është në kuotën 64 me 33 ndeshje të luajtura.

Sfidanti.al