Duhet të plotësohen dy kushte që ai të ikë i qetë nga klubi me të cilin është identifikuar prej disa vjetësh. Maurisio Poçetino, dëshira e mëparshme e Realit dhe Mançester Junajtidit (ndoshta, edhe e tanishmja), lëshoi një deklaratë që ishte si “dush i ftohtë” për tifozët e Totenhemit. “Nëse kualifikohemi ndaj Ajaksit, dhe nëse mundim Liverpulin për t’u shpallur kampionë të Europës, atëherë mendoj se mund të largohesha nga Totenhemi, – tha ai, në konferencën para ndeshjes në Amsterdam, – do të ishte kulmimi i një cikli 5-vjeçar, dhe do të mendoja për të nisur një etapë tjetër të karrierës”.
“Nëse do t’ia dilnim mbanë, unë nuk mendoj se do të mund të bëja më shumë me këtë skuadër, – vazhdoi argjentinasi, – po flas seriozisht, jo me shaka”. Tifozët e Totenhemit, natyrisht, nuk do të kenë dyzime, edhe pas këtyre fjalëve. Ata, me gjithë zemër, do të duan që skuadra e tyre të shkojë në finalen e Championsit, dhe padyshim që ta fitojë trofeun e madh. Kjo do të ishte ngjarja më e madhe në historinë 136-vjeçare të klubit të tyre, dhe do të vlente edhe sakrifikimin e arkitektit të mundshëm të saj, Maurisio Poçetinos.
Sfidanti.al