Mesi dhe Klopi e kishin parashikuar se Liverpuli ishte i frikshëm!

Dy nga personazhet më të mëdhenj të futbollit në Europë, Lionel Mesi dhe Jurgen Klopi, folën pas duelit të parë gjysmëfinal të Championsit, fituar nga Barcelona 3-0, ndaj Liverpulit në “Kamp Nou”. Kapiteni i katalanasve, heroi i asaj mbrëmjeje, i paralajmëroi shokët e tij për atë që i priste në Angli.

Gazetari spanjoll, Gijem Balage (Guillem Balague), që punon për Radion 5 direkt të BBC-së, tregoi se Mesi u kishte thënë lojtarëve të tjerë që të mos ishin aspak të lumtur, pasi nuk kishin qenë mirë ndeshjen e parë. “Loja u luajt në ritmin që donte Liverpuli, – tha ai, – dhe kjo na lodhi shumë, aq sa nuk do të kemi mundësi të luajmë në të njëjtin ritëm në ndeshjen e dytë, ndaj duhet të bëjmë kujdes dhe të imponojmë lojën tonë”.

Balage kujton edhe fjalët e Jurgen Klopit, që nuk e humbi qetësinë pas disfatës së rëndë. “Rezultati është një gjë, – tha trajneri gjerman, – por, kur analizoj lojën, them se ne bëmë maksimumin. Vështirë se mund të luajmë më mirë se kaq”. Balage vazhdon duke thënë se Klopi i kërkoi lojtarëve të tij të bënin të njëjtën gjë si në “Kamp Nou”, dhe kjo doli taktika fituese. “Në tre të katërtat e dy ndeshjeve, Barcelona ishte inferiore, – tha gazetari spanjoll, – e frikësuar dhe e pazonja të gjente përgjigje. Mesin e izoluan dhe shumë pak skuadra kanë arritur t’ia bëjnë këtë gjë në karrierë. Barcelona ra në grackë, ndërsa nuk kishte pasur përballë një rival kaq të fortë prej shumë e shumë kohësh”.

Sfidanti.al