Riberi larg Bajernit: Jup Hajnkes, personi numër 1 i karrierës sime!

Prej 12 vitesh mban veshur fanelën e Bajernit, ndërsa në fund të sezonit, do ta heqë nga trupi përfundimisht. Frank Riberi është francezi më gjerman i Bavarisë, ndërsa bën vlerësimet për karrierën e kaluar në Mynih. “Këtu kam pasur shumë trajnerë të mëdhenj, – tha ai, – por, një person për mua është mbi të gjithë. Jup Hajnkes ka qenë tepër i rëndësishëm për jetën time dhe karrierën time. Vitet e kaluara me të ishin më të mëdhenjtë”.

Francezi 36-vjeçar veçon finalen e Championsit fituar në “Uembli” ndaj Dortmundit në 2013, si momentin më të bukur të karrierës me klubin, ndërsa humbja më e hidhur ishte finalja e 2012-ës ndaj Çelsit po në Champions. “Ne dominuam dhe luajtëm në shtëpi, por humbëm, ishte shumë e dhimbshme”, – tha Riberija. E ardhmja e yllit nuk është e vendosur, por ai e ka ndarë mendjen të luajë edhe dy vjet. “Më pas do të kthehem në Mynih, kemi folur për gjithçka dhe unë do të kem një detyrë në klub”, – përfundon Frank Riberi.

Sfidanti.al