Pirlo e ka me Venturën: Lëri arbitrat, tifozët nuk shënojnë!

Xhanpiero Ventura, trajneri i Italisë, ishte një spektakël i vërtetë gjatë ndeshjes së humbur nga skuadra e tij në Suedi. Mediat italiane, ndërtuan një kolazh të plotë me fotot e shkrepura ndaj mimikës së fytyrës së tij përgjatë 90 minutave, dhe cilësia e kolazhit ishte super. Rrallë herë ndonjë trajner ka qenë i tillë pranë vijës anësore. Shqetësimi, nervozizmi, mosbesimi, dëshpërimi apo zemërimi u kombinuan për bukuri, por në intervistën në përfundim, Venturës iu çel shpresa.

“Kemi 1 000 mundësi për ta përmbysur rezultatin në fushën tonë, – tha ai, për humbjen 0-1 në plej ofin e parë të Botërorit, – luajtëm më mirë sesa kundërshtari dhe nuk e merituam humbjen. Gjyqtari nuk ishte në lartësinë e detyrës, nuk dha vendimet e duhura pro nesh. Në “San Siro” kërkoj që publiku të na marrë për dore dhe të na ndihmojë për në Botëror”.

Këto fjalë nuk i pëlqyen njërës prej legjendave të fundit të të kaltërve, Andrea Pirlos. Ish-regjisori që tani ka lënë futbollin, e kritikoi komisarin teknik, siç e quajnë në Itali. “Është gabim që merret me gjyqtarët, pasi fjalët e tij do të japin efektin e kundërt, janë kundërproduktive, – tha Pirlo, – përsa i përket “San Siros”, nuk janë tifozët që shënojnë golat, por futbollistët. Italia duhet të luajë më mirë”. Gjithsesi, Ventura ka mbështetje nga legjenda të vjetra si Sandro Macola. “Kam ende besim tek trajneri ynë, – tha ish-interisti, – në “San Siro” mendoj se do të kualifikohemi”.

Sfidanti.al