Kutinjo është fati i Barcelonës, as PSG nuk mund ta rrëmbejë

Nuk dihet se cila do të jetë oferta e Barcelonës në janar për Filip Kutinjon. Nuk dihet as nëse trajneri i Liverpulit, Jurgen Klop, do të pranojë të mbetet pa lojtarin e tij më të talentuar. Një gjë, gjithsesi, është e qartë, Kutinjo dëshiron vetëm Barcelonën! Ylli brazilian mësohet se i ka deklaruar klubit të “Anfildit” se nuk ka ndërmend të shkojë askund tjetër përveçse në “Kamp Nou”. “Mos dëgjoni asnjë ofertë, mos merrni parasysh asnjë shumë që do t’iu ofrohet, – mësohet të kenë qenë fjalët, – unë e kam zgjedhur të ardhmen time”.

Katalanasit ishin gati të paguanin 130 milionë euro gjatë verës për kartonin e Kutinjos, ndërsa tani janë gati sërishtë japin shumë, ndoshta 120 milionë euro, dhe vullneti i futbollistit ia forcon shumë pozitat. Braziliani është vërtet një “xhevahir”, dhe do ta forconte ndjeshëm Barcelonën, duke kompensuar ndjeshëm largimin e Nejmarit. Po ashtu, ai është treguar një karakter i vërtetë dhe i fortë, duke ruajtur marrëdhëniet me tifozët e Liverpulit dhe me trajnerin Klop, edhe pse ishte i vendosur të largohej nga “Anfildi”.

Sfidanti.al