Nuk patën fatin të luanin në “Uembli”, por gjithsesi ishin në vendin e shpikësve të lojës. Futbollistët e Kosovës mbërritën në stadiumin e “Shën Mërisë” (“Sent Meri”) të Sauthemptonit me famën e surprizës së kontinentit, por gjithsesi nuk mundën të shmangnin plotësisht kompleksin e inferio ritetit. Sidoqoftë, pasi provuan tapetin e barit, dhe pasi u përshtatën me atmosferën e rrallë angleze, ata arritën ta thoshin fjalën e tyre.
Humbja 3-5 ishte gjithsesi disfatë, por nga ato që lenë shije të dyfishtë, mërzi dhe krenari. Dy herë Valon Berisha dhe një herë Vedat Muriqi me penallti, tundën rrjetën e portierit të Anglisë, Xhordan Pikford,, dhe skuadra e trajnerit Bernar Shaland luajti sidomos një pjesë të dytë të madhe. Për tifozët anglezë kjo ishte një e papritur, diçka krejt tjetër nga fitorja 4-0 në “Uembli” ndaj Bullgarisë, po për eleminatoret e Europianit.
Shaland ishte teëpr i nervozuar pas pjesës së parë, aq sa shkaktoi edhe ilaritet për komentatorët britanikë në studio, pas ndeshjes pati fjalë pozitive për futbollistët e tij. “Jam krenar me lojtarët, – pohoi zvicerani, – treguan karakter ndaj kombëtares më të fortë të botës. Nuk mund t’i fajësoj që pësuan gola të lehtë, pasi Anglia ishte shumë e mirë. Bëmë gabime, dhe marr përgjegjësinë time për humbjen, por bëmë edhe lojë sulmuese të madhe. Rezultati nuk është i keq, dhe nuk duhet të dorëzohemi për kualifikimin”.
Trajneri i Anglisë, Garet Sauthgejt, vlerësoi skuadrën e vogël shqiptare, dhe nuk u ndje i zhgënjyer. “Nuk u habita nga Kosova, – deklaroi ai, – e prisja që do të luante kështu, do të bënte presing, dhe do të na vinte në vështirësi në mbrojtje. Kosova ka futbollistë shumë të mirë, nuk mund ta nënvleftësojmë. Tifozët e saj duhet të jenë krenarë, dhe ka gjasa që të shkojë në Europian. Fitorja jonë ishte e merituar, në një atmosferë të madhe”.
Ashtu si lojtarët, edhe tifozët e Kosovës spikatën. Atmosfera e tyre ishte e shkëlqyer që para ndeshjes, duke detyruar një polic anglez të vinte një plis në kokë. Në përfundim, përkrahja e tyre për lojtarët në stadium, ishte madhështore.
Mediat në Kosovë patën padyshim vlerësim të lartë. Gazeta Ekspres e Prishtinës jep reagimet e dardanëve, Hadërgjonaj, Muriqi e Valon Berisha, si dhe fjalët e trajnerit Shaland sesi motivoi skuadrën në pushim. Gazeta “Telegraf” po në Kosovë, i bën jehonë reagimit të mediave ndërkombëtare për paraqitjen e dardanëve në Angli. Po ashtu, “Telegrafi” përzgjedh reagime të tifozëve anglezë të cilët lavdëruan lojën e zhvilluar nga Kosova, sidomos në sulm.
Kështu kaloi sfida më e madhe në historinë e ekipit të ri dhe të vogël përfaqësues. Shanset për kualifikim në Europian mbeten, duke pasur 8 pikë e duke qenë në vend të tretë në grup.
Sfidanti.al