Junajtid betohet për Pogbanë: Nuk e japim nën 200 milionë euro!

Me kontratën afatgjatë që kanë në kasafortë, anglezët ndihen të sigurt. Pol Pogba, jo edhe aq! Transferimi i shpresuar për tek Reali i Madridit pritet të bëhet edhe më i vështirë, pasi Mançester Junajtidi deklaroi se nuk ka ndërmend të ulë pretendimet për kartonin e mesfushorit. Mediat britanike shkruajnë se për kampionin e botës do të kërkohen rreth 200 milionë euro (179 milionë paundë stërlina).

E sigurt është se Reali tentoi ta merrte Pogbanë në verë, diçka që presidenti Perez ia ka pohuar aksionerëve të klubit. Francezi ishte edhe dëshira e madhe e trajnerit Zinedin Zidan, i cili shpreson të bëjë një përpjekje në janar. Gazeta katalanase “Sport” shkruan se Zidan kërkon të forcojë pozitat e tij, që janë lëkundur pas një nisjeje jo edhe aq të mirë të sezonit, por Perez ka deklaruar se investimet këtë verë kanë qenë të mëdha, dhe e skuadra është shumë e fortë.

Sfidanti.al