Pep Guardiola: Siti luajti më mirë sesa Liverpuli

Trajneri katalanas pati të drejtë në analizën e tij, dhe skuadra kampione normalisht duhej të kishte fituar. Pep Guardiola mund të ishte tekniku më i mërzitur nga të dy pas sfidës së madhe të Premier Ligës në stadiumin “Etihad”, ku Mançester Siti i tij barazoi 2-2 me Liverpulin. “Jam i lumtur me të vërtetë me mënyrën sesi luajtëm, – tha Pepi për BBC-në, – ne ishim shumë mirë në pjesën e parë, ndërsa patëm 10 minuta të vështira pas pushimit, por kështu ndodh kur pëson gol. Ata kanë cilësi dhe shumë rrezikshmëri, por ne ia dolëm mirë. Ky është futbolli, këto janë gjëra që ndodhin. Sa trajnerë mund të thonë se “në fund ne nuk mund të pësojmë gol”. Mund të pësosh gol derisa arbitri ta mbyllë ndeshjen. Këtë herë ndodhi gjithçka, gola, kartona të verdhë, të kuq, VAR-i. Mendoj se kushdo u argëtua, tifozët e dy ekipeve, tifozët në gjithë botën. Platforma më e mirë për Premier Ligën. Të gjithë lojtarët e paraqitën Premier Ligën në mënyrën më të mirë”.

Sfidanti.al