Pas zhgënjimeve “Inter” e “Milan”, Italia shpreson tek Juventusi ndaj Çelsit!

E marta nuk ishte aspak për ta, dhe shpresa shtyhet për sot. Italia pati një mbrëmje të vështirë në Champions me dy skuadrat milaneze që nuk morën dot asnjë fitore, ndërsa besohet se Juventusi e Atalanta mund të jenë ndryshe. Pas barazimit stresues të Interit në Ukrainë me Shahtarin, dhe humbjes së rëndë të Milanit në “San Siro” ndaj Atletikos së Madridit, që mund të lerë pasoja, ja ku vijnë përballjet e së mërkurës. Juventusi pret Çelsin në Torino në 21:00, një përballje klasike europiane të paktën e dy dekadave të fundit. Italianët, tashmë prej javësh pa Ronaldon e larguar, nuk do të kenë as Dibalën e Moratën të dëmtuar. “Kam disa ide, – tha trajneri Alegri, – Ndaj Çelsit duhet durim, dhe nivel i lartë teknik. Anglezët janë shumë të fortë fizikisht, të rrezikshëm në kundërsulm, dhe në goditjet standarde. Një provë e vërtetë për ne”.

Çelsi është kampion i Europës në fuqi, dhe cilësohet favorit edhe pse luan jashtë fushe, edhe pse u mund në Premier nga Mançester Siti. Për më tepër, Juventusi duket i dobësuar. “Po, – pranoi Tuheli, – e vërtetë që me largimin e Ronaldos duhet të jenë më dobët, kanë edhe mungesa dhe nisja sezonit të tyre nuk ka qenë e mirë. Gjithsesi, Juventusi është ekip me përvojë të madhe në Champions. Mungesat e lojtarëve jo gjithmonë ndikojnë për keq, e kemi provuar edhe ne, pasi ata që aktivizohen duan që të tregojnë veten. Nga ana jonë ka vetëm respekt për Juven”. Në 18:45, Atalanta pret Jang Bojsin në Bergamo. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, pritet titullar, ndërsa italianët mund të kenë 3 mungesa, e zviceranët plot 5. Atalanta barazoi 2-2 ndeshjen e parë në Spanjë me Vijarrealin, ndërsa Jang Bojsi mundi 2-1 Mançester Junajtidin.

Sfidanti.al