Pjer-Emerik Obamejang është një nga sulmuesit më të mirë të botës sot për sot, dhe duket se nuk është i qetë. Futbollisti nga Gaboni ka nxjerrë nga goja fjalë që besohet se ia kanë “ngrirë gjakun” tifozëve të Borusias së Dortmundit. “Nëse dua të ngre standardin tim në një nivel më të lartë, duhet të largohem në verë, – ishte ajo që ai tha në një intervistë për një media franceze, – Reali i Madridit është ende një ëndërr, por është e kotë të flasim për këtë, sepse është bërë shumë zhurmë”.
Obamejang nuk është veçse njeriu i radhës në sportin më të pasur të botës që shfaqet si “hero i rremë”, pra jo si Maldini, Xherrard, Toti apo Zaneti, që luajtën vetëm për një fanelë. i lindur në vendin e tij në Afrikë, ai e ka bërë “tradhëtinë” e parë duke ikur nga skuadra e parë që e formoi si futbollist, ndaj ishte e pritshme që kjo të ndodhte. Globalizmi, mund të thotë dikush, dhe padyshim që ky dikush do të ketë të drejtë. Shqetësimi më i madh dhe keqardhja janë për publikun më të zjarrtë të Europës, që vazhdon të besojë se në futboll heronjtë janë njerëz që ekzistojnë.
Sfidanti.al