Është problem kur në shtëpi ke një fëmijë, por më problem është kur janë dy. Kështu mund të quhet halli i Realit tani që tifozët e vërshëllyen përsëri Ronaldon dhe që Kristiano ua ktheu me një sharje. Të kuptohemi, nuk është se vërshëlleu i gjithë “Bernabeu”, por vetëm një pjesë, veçse kuptohet, ajo duhet të jetë pjesa e tifozëve më të “thekur” dhe më besnikë, ndaj nuk është gjë e vogël.
Klubi madrilen i doli në krah numrit 7, duke postuar në Instagram një foto të portugezit, me përshkrimin “lojtari më i mirë i botës”. Vetë CR7 reagoi pas ndeshjes ndaj Socidadit, fituar 3-0, duke postuar një foto në palestrën e shtëpisë së tij, me diçiturën “të mbajmë ekuilibrin”. Pra, ishte një lloj ftese për tifozët, por ndoshta edhe një kërkim faljeje. Kjo, pasi ai u kap nga pamjet televizive duke i sharë tifozët që e vërshëllyen me fjalët “bij k…” (në foto).
Një gjë është për t’u habitur, pra sesi tifozët i dalin kundër lojtarit të tyre më të mirë, atij që fitoi Topin e Artë, që ka shënuar kaq shumë gola, dhe ka ndihmuar ekipin të fitojë Championsin, Superkupën e Europës dhe Kupën e Botës për klubet, aq më tepër që ndaj Sociedadit shënoi një gol dhe krijoi një tjetër? Mos vallë, është sjellja e tij dhe mënyra sesi ai e reklamon pasurinë dhe talentin e tij, që ndoshta i bezdis madrilenët e zakonshëm, njerëz që thjesht kanë një punë me një “copë rrogë”, apo ndoshta edhe nuk e kanë fare atë. Sfidanti.al