Bota e tenisit ka njohur dy ruse të mrekullueshme, veçse me fat të ndryshëm. Ato ishin (njëra ende është) Ana Kurnikova dhe Maria Sharapova. E para ishte një bukuri e paparë, lojtare e mirë, por pa ambicien për t’u bërë e madhe, dhe ndoshta edhe pa parametrat për t’ia dalë. Kurnikova u bë shumë më tepër e famshme me format e saj të trupit dhe të fytyrës, dhe me lidhjen dashurore me këngëtarin Riki Martin. Sharapova ia ka dalë me të dyja, duke qenë edhe modele, edhe kampione e Grand Slemeve.
Një kanadeze po përpiqet të ecë në gjurmët e tyre, dhe duket se gjithnjë e me shumë po shkon në “shtegun” e Kurnikovës. Euzheni Bushar (është frankofone) gjithnjë e më shumë po e mban lart famën e saj me fotot e nxehta në Instagram, sesa me paraqitjet e bukura në fushat e tenisit. E eleminuar që në raundin e tretë të Australian Openit, vajza 22-vjeçare shkoi menjëherë në një plazh ekzotik, të cilin ajo e la në mister duke e quajtur vetëm “parajsë”.
Më shumë mister për 1.2 milionë ndjekësit e saj në Instagram, padyshim, është burri i panjohur, që del në foto, në pozicion intim, duke vendosur dorën në kofshën e Busharit. Tabloidët gërmuan dhe gjetën se ai është një kanadez 26-vjeçar, Xhordan Karon, lojtar i hokejit në akull, më parë me Boston Brunsin, dhe tani me Sent Luis Bluz në NHL. Sido që të jetë puna, duket se Euzhenia nuk po ndjen shumë mall për kohët e dikurshme në 2014, kur doli në finalen e Uimbëlldonit, por është zhytur në kënaqësitë e jetës, që ia lejojnë të ardhurat e saj të deritanishme. Sfidanti.al