Diego Pablo Simeone është edhe më shumë i bindur tani që teknologjia do të jetë pjesë e arbitrimit në futboll. Përse? Trajneri i Atletikos së Madridit ka një spjegim të thjeshtë, por besohet bindës. “Kur gabimet ndodhin ndaj Realit apo Barcelonës, ka më shumë zhurmë dhe më shumë pasoja, – shprehet ai, në konferencën në prag të ndeshjes së Kupës së Mbretit pikërisht ndaj katalanasve, – në këtë rast unë jam i kënaqur, jo sepse dëmtohet Barcelona, por sepse kur gabohet ndaj këtyre ekipeve, zgjidhja vjen më shpejt”. Simeone shprehet se është në interes të të gjithëve që të ndihmohen gjyqtarët dhe të bëhen më pak gabime.
Sa shanse ka Atletiko në gjysmëfinale të Kupës? “Luajmë ndaj kundërshtarit më të fortë të botës, – vlerësoi trajneri argjentinas, – që ka treshen më të mirë sulmuese në rruzull, që ia zgjidh në favor të vet 80 për qind të ndeshjeve. Ne do të bëjmë maksimumin dhe kemi shanset tona”. Simeone shpreson vetëm që Atletiko të ketë më shumë vazhdimësi në ndeshjet e saj, për të mos mbetur jashtë Ligës së Kampionëve nëpërmjet kampionatit.
Sfidanti.al