Është një kënaqësi për futbollistët që të punojnë me Karlo Ançelotin. Stili i tij mund të mos jetë më spektakolari në botë, më i shpejti, më kombinativi apo më sulmuesi, por gjithsesi, mënyra e tij e komunikimit meriton notën “10 me yll”. Në “timonin” e Bajernit, ai vazhdon me filozofinë e tij, të “shkencës aplikative” (të më falë trajneri ynë, Farruk Sejdini, që ia huajta shprehjen), dhe “tërhiq e mos këput”. “Shumë ujë i bën keq bimës, – thotë Karleto, në një intervistë të fundit, – unë nuk i vras në stërvitje lojtarët e mi”.
Si një “baba” i kujdesshëm, ai diku shpejton e diku ngadalëson dhe në Gjermani besojnë se Bajerni do të jetë në kondicionin e duhur fizik kur të vijë pranvera. Dikur thuhej në Itali se “në pranverë vjen Juventusi i Trapatonit”, tani duhet thënë se “në pranverë vjen Bajerni i Ançelotit”. Besohet se ai po sillet ndryshe nga Guardiola që kërkonte maksimumin në çdo stërvitje dhe në çdo ndeshje.
Me shpresën që të fitohet Liga e Kampionëve (edhe Bundesliga, pasi nuk do të jetë plotësisht e lehtë), Ançeloti tregohet i ndershëm edhe në raport me ndikimin e futbollit. “Thonë se futbolli i bën mirë shëndetit, – shprehet ai, – por, kjo nuk është e vërtetë. Unë kam qenë për 20 vjet lojtar profesionist dhe tani nuk mundem të vrapoj pasi kam probleme në gju dhe në shpinë”. E saktë, Ançeloti, futbolli profesionist dhe i gjithë sporti profesionist, i bën mirë xhepit, egos dhe tifozëve, por jo njeriut që e praktikon. Për këtë, bën mirë vetëm sporti për të gjithë dhe shëndetësor, jo ai ku konkurrenca të shtyn në limit.
Sfidanti.al