Ish-portieri i Sochaux dhe Nancy, Baptiste Valette, ka nisur sot përballjen me drejtësinë, teksa nga kjo e hënë po gjykohet nga Gjykata Kriminale e Meurthe-et-Moselle për përdhunim të rënduar. Portieri 33-vjeçar, i cili aktualisht luan për Grasse në kategorinë National 2, rrezikon deri në 20 vite burg.
Ngjarja për të cilën akuzohet daton më 15 dhjetor 2019, kur Valette ishte 27 vjeç dhe ruante portën e Nancy në Ligue 2. Sipas dosjes hetimore, ai dyshohet se ka përdhunuar një vajzë 18-vjeçare në dalje të një klubi nate në qendër të Nancy-t.
Sipas agjencisë AFP, lojtari, që në atë mbrëmje ndodhej në gjendje të dehur, ka deklaruar se marrëdhënia ka qenë “me pëlqim”, duke shpjeguar gjithashtu se nuk i ka dhënë vajzës emrin e vërtetë sepse ishte “person i njohur”. Ai ka thënë se e ka çuar në një tarracë “larg shikimeve” për shkak të situatës së tij profesionale dhe personale, pasi në atë periudhë ishte i martuar.
Pas largimit nga Nancy në vitin 2022, Valette ka luajtur për Cholet, Sochaux dhe së fundmi për Grasse, ku është pjesë e skuadrës aktualisht. Procesi pritet të zgjasë deri të mërkurën.

