Berisha dhe Muçi, Sylvinho nuk ka më alibi…

Medon Berisha, Ernest Muçi, vëllezërit Shpendi. Emra që trajneri Sylvinho me siguri i ka në bllokun e shënimeve por me po aq siguri për arsye ende mistike nuk u ka numrat në telefon. Nëse djali i artë i Lecce-s, Medon Berisha pothuajse çdo javë është lojtari më i mirë në fushë për puljezët, si për ironi, minutat me fanellën e Kombëtares janë me pikatore dhe ka ardhur momenti që braziliani magjik i stolit të japë disa përgjigje se si është e mundur që një lojtar kaq i kompletuar e madje edhe dominues në përballjen direkte me të përkëdhelurin Asllani, dominon në Serie A por nuk është ende bindës për trajnerin e Shqipërisë. Nëse rezultatet i japin të drejtë Sylvinhos me siguri kjo nuk është një alibi pasi Berisha me siguri me një pasaportë tjetër do të aktivizohej titullar e madje me nder. Por kjo nuk ishte vetëm fundjava e Berishës sëpse Muçi na dhuroi një tjetër perlë me Trabzonspor edhe pse lajmi i keq për të është se ende nuk ka ndryshuar agjent. Do ta bintë e djathta magjike e talentit tiranas trajnerin këtë herë? Duhet të presim marsin për të mësuar nëse Sylvinho po i mban shënim golat e sulmuesit që minimalisht do të ishte një zëvendësues i denjë për Manajn në majën e sulmit. Koha do të ta tregojë shumë por qëndresa që djaloshi shqiptar po bën është për t’u lavdëruar dhe momentalisht ka gjithë të drejtën e botës të shijojë vendin e tretë me skuadrën turke që po e frymëzon në çdo hap.

Sfidanti.al