Nuk mund të thuhet se është krejt pa faj në çfarë ndodhi, apo se është një “qengj” a një “engjëll”. Gjithsesi, ka një të drejtë të madhe Habib Nurmagomedovi në përgjigjen madhështore dhënë pas dënimit nga ana e UFC-së, për sherrin pas ndeshjes ndaj Konor Mekgregorit në Las Vegas. Ai u pezullua për 9 muaj dhe u gjobit me 500 000 dollarë amerikanë.
Luftëtari i arteve të përziera marciale, njeriu me pasaportë ruse, por me origjinë avare nga Dagestani, i kujtoi Komisionit Atletik të Shtetit të Nevadës se nuk është në pozicionin e duhur për ta gjykuar. Jo më kot Las Vegasi, vendi ku ndodhi sherri, mbiquhet “Qyteti i Mëkatit” (Sin City). “Nevada duhet të shohë sjelljen e vet dhe të asaj që ndodh aty, – u shpreh Nurmagomedovi, – një shtet që lejon drogat, prostitucionin dhe bastet”.
“Në jetë më kanë ndodhur mjaft ngjarje për të cilat jam penduar, – vazhdoi ai, – ndonëse askush nuk e kthen dot kohën prapa. Por, ajo që ndodhi (në Las Vegas) nuk bën pjesë në këtë listë. Nuk jam penduar asnjë gram për atë që bëra. Edhe nëse do të ndodhte 100 herë, do ta bëja 100 herë”.
Kuptohet që dagestanasi është ende i zemëruar pasi e quan të padrejtë dënimin, ndërsa u provokua nga Mekgregori, që nga sulmi që ky i fundit i bëri autobusit (dhe ia hodhi pa u dënuar), deri tek fjalori që përdori irlandezi në prag të ndeshjes. “Jam gjobitur 10 herë më shumë sesa Mekgregori, – vazhdoi kampioni i UFC-së në një intervistë për kanalin rus, “Maç TV”, – mendoj se kjo sjellje nuk ka të bëjë thjesht me mua, por me vendin tonë. Sporti nuk duhet të përzihet me politikën, por në ndeshjen tonë unë e ndjeva shumë fort politikën. Nuk e kisha ndjerë më parë, por tani kam nisur ta ndjej”.
Sfidanti.al