Klopi mban me “gajret” Liverpulin: Ndodhi, dhe do të ndodhë sërish

Mançester Siti është vetëm 3 pikë prapa, dhe shumëkush habitet se ku shkuan 7 pikë epërsi në fillim të janarit. Liverpuli pati barazimin e dytë në dy ndeshje radhazi në Premier Ligë, 1-1 me Uest Hemin, dhe trajneri Jurgen Klop, si një “plakë që lexon filxhanin” gjen ngushëllimin tek fati dhe tek ajo që është e pashmangshme. Për të dytën herë radhazi, edhe ai.

“Është një pikë dhe është një pikë normale”, – u shpreh gjermani, pak ditë pasi tha se “pika ishte e mirë ndaj Leisterit”. “Këto janë gjëra që ndodhin dhe do të ndodhin përsëri”, – vazhdoi ai, me siguri me nënkuptimin se edhe Siti do të humbasë pikë, siç bëri në Njukasëll mesjavën e kaluar.

Duke mos dashur të kritikonte publikisht lojtarët, Klopi u mjaftua të thoshte se “nja dy prej tyre nuk luajtën edhe aq mirë, por kjo është normale në futboll”. Analistët theksuan për BBC-në se Liverpuli u duk ekip pa kokë, pa udhëheqje, në një ndeshje të vështirë fizike në Londër.

Duket se afrimi i duelit me Bajernin në Champions po merr kohë dhe vëmendje nga lojtarët, dhe ata nuk arrijnë të përqëndrohen 100 për qind në Premier. Në stadiumin e Uest Hemit, Sadio Mane kaloi miqtë në epërsi në 22’, por Antonio barazoi në 28’. Liverpuli ka 62 pikë pas 25 javësh, ndërsa Mançester Siti ka 59.

Sfidanti.al